Silvio Berluskoni, kryeministri i vetëm evropian që iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve me fletë gjyqi, ka përfunduar në muret e Nju Jorkut me komentin “I paprekshmi”. Eshtë ai, Silvio Berluskoni, ai që duket se komandon gjithçka në Itali e që po bëhet i njohur në të gjithë botën për skandalet e jetës intime dhe vendimet qeveritare të kritikuara si pro interesave të tij, gafave në takimet ndërkombëtare e festat me emra të njohur e të panjohur të gjurmuar nga paparacët e të kapur nudo në oborret e vilës së tij. Një sërë posterësh të fotografuara nga një gazetar italian që jeton prej vitesh në SHBA e të publikuara te “La Repubblica”, ato të kryeveprës së Brian de Palma, “Të paprekshmit”, të dedikuar Al Kapoles, paraqesin fytyrën e kryeministrit italian Silvio Berluskoni me komentet “I paprekshmi”, “I pakorruptuari”, “I panjollosuri” dhe “Askush nuk mund ta prekë, askush nuk mund ta ndalë”. Iniciativa është e disa studentëve dhe profesionistëve italianë në SHBA dhe thuhet se është vetëm hapi i parë që do të pasohet nga shumë të tjerë.
Krijoni Kontakt